Catalogue
Newsletter
Njësi mësimore për trashëgiminë kulturore dhe diversitetin kulturor - Doracak për Mësimdhënës (2015)
Njësitë mësimore për trashëgiminë kulturore dhe diversitetin kulturor, të prezantuara në këtë doracak, janë hartuar me qëllim të paraqitjes së temave të përgjithshme që ndërlidhen me trashëgiminë kulturore dhe diversitetin kulturor. Është menduar që doracaku të përdoret si material shtesë brenda lëndës së edukatës qytetare, për të siguruar të kuptuarit themelor për disa nga çështjet dhe për të fi lluar të menduarit e bashkëbisedimin për temën e kulturës. Temat dhe rezultatet e të nxënit janë menduar të përdoren si pikë fi llestare dhe udhërrëfyes për mësimdhënësit. Prandaj, ju ftojmë të zhvilloni më tej diskutime dhe aktivitete, përtej asaj që është përmendur në doracak. Janë tetë njësi mësimore të ndryshme që adresojnë trashëgiminë kulturore dhe diversitetin kulturor. Secila njësi e ka fokusin tematik dhe përmban rezultatet e të nxënit, informacionin paraprak dhe aktivitetet për klasat 3-6 dhe 6-9. Pasi të vlerësojë nivelin e nxënësve, mësimdhënësi mund të zgjedhë njësinë që është e përshtatshme për atë nivel. Njësitë janë disenjuar për një orë mësimore me 40 minuta. Sidoqoftë, aktivitetet mund të adaptohen e të ndryshohen për t’u përdorur nëpër disa orë mësimore. Aktivitetet për secilën njësi mësimore janë treguar me hollësi në procedurë dhe në parim janë tri pjesë për aktivitetet e njësisë: aktiviteti hyrës, aktiviteti kryesor dhe refl ektimi. Kjo strukturë i ofron mësimdhënësit një aktivitet për të paraqitur temën mësimore, ndërsa pastaj mësimdhënësi dhe nxënësit shqyrtojnë idetë/ temat më në thellësi gjatë aktivitetit kryesor. Përfundimisht, gjatë fazës së refl ektimit, nxënësit kanë mundësinë të ndajnë me të tjerët atë që mësuan dhe ndien. Aktivitetet pasuese dhe variantet e aktiviteteve janë dhënë për rastet kur mësimdhënësi dëshiron të shqyrtojë më tej konceptet apo të adaptojë aktivitetet për secilën njësi.